Zanoret
A e zezë, E e bardhë, I e kuqe, Y e blertë, O blu:
Zanore, se si lindët një ditë do ta di:
A, rresht i zi leshtak rreth erës plot ndyrësi
Mizash farfuritëse, që zukatin me vrull,
Dëlirësi tendash e avujsh E, gjinj plot hije,
Ushta akujsh krenar, rrapëllimë çadrash, mbretër të bardhë,
I, fjollë gjaku, purpur, qeshje buzësh plot afsh
Në mllef pendestar a në hove dalldie;
Y, ciklet, dridhje hyjnore detrash të blertë,
Paqe kullotash mbjellë me kafshë, mbi ballët e denjë
Paqe rrudhash që skalit një alkimi;
O, Trumbetë qiellore, piskamë e padëgjuar,
Heshtje, nga Botët e Engjëjt përshkruar:
- O, Omega, rrezja ngjyrë vjollcë e Syve të tij!
Gjumashi luginës
Është një shteg gjelbërimesh ku lumi si i marrë,
Nëpër lyshtra të argjenda kacavirret ligjëron,
Ku shkrep e llapëtin dielli nga mali krenar:
Është një lug i vogël që rreze shkumon.
Një ushtar i ri, gojëhapur, nën një re,
Me zverkun zhytur në lakrën blu të njomë,
Ri shtrirë mbi blerinë kokëqethur; fle
I zbehtë mbi barishte, nën dritën që pikon.
Me këmbë mbi luleshpate, fle. E buzëqesh
Si një fëmijë në ethe, përgjumet pak e hesht,
Natyra e përkund e ngroh : ai po mërdhih.
Era e luleve flegrat tani nuk ia shpon;
Fle në diell i qetë me dorën mbi kraharor,
Ka dy zgavra të kuqe djathtas përmbi ijë.
Kokë Përbindëshi
Përmbi gjethnajë, peshtaf i blertë gjethe ar,
Përmbi gjethnajën e njomë që shkëlqen,
Nga grumbuj lulesh, rrëmbimthi çan
Copën e rrallë ku puthja po fle.
Një monstër që sytë hap me lebeti
E lulet i kafshon me dhëmbët si sedef,
Si verë e vjetër gjithë gjak dhe e nxirë
Nën degë buza e tij çaplohet e qesh.
Dhe kur si një ketër iku u zhduk,
Akoma qeshja drithëron në çdo gjeth,
Duket e trembur nga një gushëkuq
Puthja e artë që në paqe u kredh
Ofelia
Mbi valën murrake, të butë ku flenë yjet
E bardha Ofeli tundet si zambak,
Tundet ngadalë mbi vellot e gjata e pyjet,
Nga sokëllima gjahtarësh, vrungullojnë larg.
Ka më se njëmijë vjet, që e ngrysta Ofeli
Kalon mbi lumin e murrmë si floçkë e bardhë,
Ka më se njëmijë vjet që netëve me puhi,
Marria e saj murmurit një romancë.
Era i puth gjinjtë e kurorë i pështjell
Në ujin kolovitës vellot e saj,
Harkohet kallami mbi ballin e thellë,
Shelgjet ngjethës mbi supe dridhen e qajnë.
Zambakë të ngrysur përreth lëngojnë me shamtinë,
Në shkurret që flenë, ajo zgjon ndonjëherë
Një fole, ku një krah lëshon një fërgëllimë:
- Dhe yjësitë e arta këndojnë gjithë mister.
2
E bukur si bora, Ofeli e zbehtë!
Po, një lumë të rrëmbeu e ti vdiqe fëmijë!
- Se nga grykat norvegjeze ca vrunduj plot erë
Heshtas të patën folur për të vrazhdën liri,
Se një afsh që vibronte përmbi floknajë,
Në zemër të solli vigma të egra dhe i dëgjoi
Këngët e natyrës shpirti yt ëndërrimtar,
Në ofshamën e pemës, në natën që rënkoi.
Se zëri i deteve, gulçim e grahmë,
E theu gjoksin tënd fisnik e të ëmbël shumë,
Sepse një mëngjes prilli një kalorës i marrë,
I bukur e i zbehtë, memec t’u ul mbi gjunjë!
Qiell, dashuri, liri! Çfarë ëndrre, e mjerë e marrë!
Posi bora në flakë u shkrinë gjunjët e tu,
Gulfa vegimesh të mbytnin çdo fjalë
E përjetësia lebeti i frikësoi sytë blu.
3
Poeti thotë se në rrezet e yjeve të nderë,
Lulet që ti këpute vjen kërkon çdo natë,
Se ka parë mbi ujë shtrirë mbi vellot çmbështjellë,
Të bardhën Ofeli të lëkundet si zambak.
Anija e dehur
Meqë ujëra paqësorë më zbrisnin nga lumenjtë,
Detarët e mi s'më drejtonin si përpara:
Lëkurëkuqtë klithnin duke i marrë ata në shenjë,
Pasi i kishin ngallmuar mbi shtyllat lara-lara.
Nuk çaja kokë kurrë për çdo ekuipazh,
Hamej me grurë flamand a pambuk anglez.
Kur detarët shpëtuan nga e gjithë kjo rropamë,
Lumenjtë më lanë honeve ku doja të zbres.
Në grahma baticash gjithë duf të marrë,
Më shurdh se tru i fëmijëve, dimrin tjetër në shkulm,
Unë vrapova! E gadishujt pluskues s' kanë parë
Aq rrëmujë e zallahi më me zulmë.
Stuhitë zgjimet e mia i bekuan në det,
Më e lehtë se një tapë kam vallëzuar mbi valë
Që i thërrasin shtytëse viktimash përjetë,
Dhjetë net, sytë idiotë të fareve pa i qarë !
Më të ëmbla mollët e idhta se ndër fëmijë
Uji gjelbër çau zhguallin me bredh të brishtë
Nga njolla të vjellash e nga vera mavi
E shplau, timonin e kanxhën duke llapashit.
Në Poemën e Detit jam larë, qysh atëherë
Me ngjyra qumështore, stërpikur me yje,
Blutë e gjelbra gllabëroj; ku, i menduar herë,herë,
I kënaqur, tundje zbehtë, një i mbytur bie;
Ku, befas duke ngjyrosur mavinë, kllapia
E ritmet nën flakëritë e ditës që buis,
Më të forta se alkooli, më të gjëra se lira,
Vlojnë kuqërrimet e egra të dashurisë.
Njoh qiej të çarë në flakë e shkreptima, ciklonë,
Dyndje stërkalash, rryma uji e shkumë, njoh net,
Si trumba pëllumbash agime që vrapojnë,
E ndonjëherë kam parë ç'na fanitet në jetë!
Kam parë diellin aq poshtë, me feksje tmerri mistik,
Të ndriçojë në shtangie të gjata ngjyrë vjollcë,
E njëlloj si aktorë teatrosh shumë-antikë,
Dridhma flegrash valët shtyjnë larg me forcë!
Kam ëndërruar natën e blertë me borëra që ndrijnë,
Puthje që ngjiten në sytë e detrave ngadalë,
Lëngje të padëgjuar si shakullinë,
E zgjime të verdha e blu nga fosforë këngëtarë!
Kam ndjekur, për muaj të tërë, si histerinë
E kopeve, dallgën në sulme mbi shkëmbinjtë,
Pa menduar se Marijet me këmbët që u vetëtijnë
Oqeaneve shpirraqë ua shkallmonin turinjtë!
Kam hasur, ta dini, të pabesueshmet Florida
Pleksur me lule sy panterash lëkurë ngjyer
Si njerëz! Ylbere nderur si frerë mbi grigja,
Nën horizont detrash të murrëtyer.
Kam parë të vlojnë moçale gjigantë, rrjetë
Ku Leviatani në xunkth kalbet gjithë erë!
Shkërmoqje ujërash mes detit të qetë
E largësi që gremisen drejt në humnerë!
Qiej prushi, diej argjendi, valë sedefi, akullnajë!
Ngecje llahtarë anijesh në gjinj të nxirë
Ku gjarpërinjtë gjigantë që çimka i përlan
Bien nga drunj shtrembakë me erëra ndyrësirë!
Doja fëmijët t'i shihnin këta peshq valësh blu
Që këndojnë, peshq me luspa ar, peshq të kuqërremtë.
- Nisjet e mia u përkundën nga lulet si shkumë,
Erëra të parrëfyeshme më vunë krahë ndonjëherë.
Martir i lodhur polesh e zonash, herë, herë
Deti, që me dënesa ma zbuste tundjen mbi ujë
Hidhte drejt meje lule hijesh me kupë të verdhë,
Dhe unë qëndroja si një grua në gjunjë…
Si një ishull, duke tundur mbi sponde, shamatë
E glasë zogjsh poterexhinj me sy bardhoshë,
Lundroja, kur përmes vjegëz së brishtë me algë
Ca të mbytur, për të fjetur, binin kokëposhtë.
Mirëpo unë, varkë e braktisur nën flokë gjinjsh,
E hedhur në hapësirat pa zogj nga uraganë,
S'do mundnin Monitorët e Hanset që vijnë
Skeletin dehur me ujë ta kapin në oqean;
Rebele, e lirë, dalldisur në vjollcë e vlagë
Unë që zhbiroja qiellin kuqëlues si mur i nderë,
Që bën, liker diellor e kaltërsi si jargë,
E reçel mahnitës për poetë të mëdhenj.
Që vrapoja, me lara drapinjsh elektrikë
Me shpurë cironkash të zeza, argsh i marrë,
Ndërsa korriku shkërmoqte duke rrahur me kamxhik,
Qiejt e përtejdetit në hinka si zjarr.
Unë që fërgëlloja, duke ndjerë të rënkojnë diku,
Maelstromët e gjerë e Béhémotët në afsh,
Endacak i përjetshëm palëvizshmërish blu,
Qaj me lot Evropën me parmakët e lashtë.
Kam parë arkipelagë yjesh! dhe ishuj pa fre
Me qiejt e shfrenuar, që grishin udhëtarë;
- Në këto net pa fund po mërgon e po fle,
O fuqi e ardhshme, miliona zogj të artë?
Po kam qarë shumë! Agimet janë pikëllues,
Çdo hënë është mizore, çdo diell ther, vërtet:
Topitja dehëse më gufon nga një mall përvëlues,
Oh, të thyhet kiçi im! Oh, të shkoj poshtë në det!
Nëse dua ujëra në Evropë është një pellg
E ftohtë e zdralë ku një fëmijë galiç në një skaj,
Pranë muzgut kundërmues, plot trishtim hedh
Një anije letre tamam si flutur maji.
Nuk mundem më, në kapitjet e tua, o valë,
T'u ndjek vazhdën e tyre hamejve me pambuk,
As të përshkoj flakët e pishtarët krenarë
As të shkas nën sy tmerri trapesh plot me krupë.